Shkëndija mund me përmbysje Laçin

Shkëndija ka mundur Laçin me shifrat 2:1 në miqësoren që u zhvillua sot në stadiumin e qytetit në Strugë, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse “kuqezinjtë” ishin në disavantazh, në fund arritën deri tek fitorja, që ishte e dyta nga po aq ndeshje kontrolluese të zhvilluara në prag të sfidave europiane. Pas matjes së forcave dhe disa gjysëmrasteve të krijuara nga ana e të dyja palëve, ishin futbollistët e Laçit që avansuan të parët me golin e shënuar nga ana e Dejan Zarubica.

Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë trajneri i Shkëndijës, Ernest Gjoka bëri dy zëvendësime, duke inkuadruar në lojë brazilianin Da Silva dhe mesfushorin Arbin Zejnullain, në vend të Sabit Bilalit dhe Valmir Nafiut.

Pjesa e dytë foli në tërësi për Shkëndijën, që e dominoi këtë pjesë, ndërsa golin e barazimit “kuqezinjtë” e gjetën në minutën e 74-të. Neziri tentoi për të pasuar para portës laçiane, ndërsa topi  u ndal me dorë nga ana e mbrojtësve mysafir, me ç’rast arbitri tregoi në pikën e bardhë.

Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri Besart Ibraimi, i cili nuk arriti të shënojë me të parën, mirëpo një gjë të tillë bëri në tentativën e dytë, duke barazuar shifrat në 1:1.

Ibraimi shkoi pranë golit të dytë 11-të minuta para fundit të takimit, kur pas një skeme nga gjuajtja e lirë, e djathta e tij u ndal në traun e portës.

Goli i dytë gjithsesi do të vinte disa sekonda më vonë, kur Dashmir Elezi gjendet mirë para portës dhe sjell epërsi 2:1 për Shkëndijën. Ky do të ishte rezultati i këtij takimi testues ku trajnerët Ernest Gjoka e Shpëtim Duro përgatisin ekipet për paraqitjet në Europë.

Leave a Reply