Rron Broja është një futbollistë i lirë. Ish futbollisti i FC Shkupit, i ka dhënë fund qëndrimit të tij te Partizani. Ka qenë vetë mesfushori që përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale, ka bërë të ditur largimin nga skuadra e Ilir Dajës.
Lojtarit i skadoi kontrata me “të kuqtë” pas përfundimit të sezonit dhe një marrëveshje për rinovimin e saj nuk u arrit, çka bëri që palët të shtrëngojnë duart për largimin.
Tashmë mesfushori është një futbollist i lirë dhe në kërkim të një skuadre të re për të vazhduar karrierën.
Broja luajti te Partizani për dy sezone, me të cilët u bashkua në verën e vitit 2019 nga skuadra e FC Shkupit. Në sezonin e fundit, 25-vjeçari ishte një nga lojtarët kryesorë te “demat e kuq”, duke u aktivizuar në gjithsej 35 ndeshje mes Kupës dhe kampionatit.