Agim Ibraimi mund të jetë goditja e madhe e Dinamos së Tiranës në merkaton e verës. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime të sigurta në klubin blu se së fundmi fantazistit që mbylli sezonin me Kukësin i është bërë një ofertë joshëse dhe gjasat janë që ai të thotë “po”.
Në sezonin e tij të parë në Superiore, Ibraimi shkëlqeu me verilindorët, duke shënuar në kampionatin e fundit 15 gola, vetëm një më pak se Dejvi Bregu, i cili fitoi “Këpucën e Artë”.
Nga sa mësohet, 32- vjeçari ka disa ditë që ka negociuar me drejtuesit blu, por për momentin nuk mund të flitet për një akord final.
Ibraimi është nën kontratë me Kukësin deri në fund të këtij muaji dhe kësisoj nuk mund të bëjë asnjë lëvizje zyrtare.
Megjithatë, ai ka marrë tashmë ofertën zyrtare të bluve dhe duket se është joshur nga projekti që ka Dinamo për sezonin e ri.
Ibraimi ka edhe oferta të tjera në këtë periudhë, por dinamovitët e rikthyer në Superiore, duan që ta bindin me çdo kusht. Presidenti Ardjan Bardhi mund të bëjë një sforco ekonomike, në mënyrë që trajneri Shkëmbi të ketë një lider për t’u bazuar në sulm për sezonin e ri.