Ish futbollisti i Shkëndijës, Konstantin Çeshmexhiev edhe zyrtarisht është pjesë e FC Shkupit nga Çairi. Mbrojtësi 25-vjeçar vjen nga radhët e skuadrës boshnjake Velezh të Mostarit, ku sezonin e kaluar regjistroi 16 paraqitje.
Bëhet fjalë për një futbollistë, i dalë nga akademia e Rabotniçkit, ndërsa ka luajtur edhe me Ljubancin, Pelisterin, Makedonija Gj.P. dhe Shkëndijën në kampionatin vendor.
Mirëpo çfarë realisht e shtyu Çeshmexhiev që të pranojë ofertën e FC Shkupit:
“Njerëzit në klub më kanë kontaktuar derisa isha futbollist i Velezhit, kjo ishte diku para një muaji. Mi treguan planet dhe idetë e klubit, edhe e dija se bëhet fjalë për një projekt serioz. Faktor vendimtar që të vijë këtu ishte dalja në arenën evropiane, si dhe fakti që trajner është Goce Sedlloski që do të jetë nder për mua të mësoj nga një trajner siç ai dhe stadiumi i ri dhe investimet në infrastrukturë. Të them të drejtën nuk jam hamendur shumë pasi më pëlqyen planet dhe ja ku jam te Shkupi”.
Çeshmexhiev tani më është bashkuar me skuadrën në Ohër dhe do të jetë gati që të fillojë stërvitjet me ekipin, që sa më shpejt të adaptohet për ndeshjen e parë kualifikuese të Ligës së Konferencës së UEFA-s.
Çeshmexhiev dhe Shkupi kanë nënshkruar kontratë një vjeçare.