Xhiroja e dytë fazës së grupeve të Kampionatit Evropian Euro 2020 vazhdon sot edhe me tre ndeshje mjaft interesante.
Duke nisur nga ora 15:00, “Arena Naționala” në Bukuresht do të mirëpret Ukrainën dhe Maqedoninë e Veriut, ndeshje kjo e vlefshme për Grupin C.
Të dyja këto skuadra janë në kërkim të pikëve të para në këtë europian, duke pasur parasysh se ishin mundur në ndeshjet e parë ndaj Holandës, gjegjësisht Austrisë.
Në kuadër të Grupit B nga ora 18:00, Belgjika do të ndeshet me Danimarkën, ndeshje kjo e cila zhvillohet në “Parken Stadium” në Kopenhagë. Belgjika e kryeson këtë grup me 3 pikë, kurse Danimarka është e fundit me 0 pikë.
Belgët synojnë të konfirmojnë veten si favorit të këtij Europiani, ndërsa Danimarka kërkon të këndellet pas atij shoku që ju ndodhi me kapitenin Kristian Eriksen, por edhe disfatë që pasoi më pas nga Finlanda.
Ndeshja e fundit e ditës së sotme do të zhvillohet në “Johan Cruijff Arena” në Amsterdam ku përballen Holanda dhe Austria, që bëjnë pjesë në Grupin C.
Të dy këto kombëtare vijnë nga suksesi në ndeshjet e para ndaj Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut dhe kryesojnë grupin me nga 3 pikë secila, ndërsa skuadra fituese do të hidhte një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në fazën e dytë, atë të nokautit.