Ensar Luma nga 15 qershori edhe zyrtarisht nuk është më pjesë e Shkëndijës. Sulmuesi dhe drejtuesit e klubit tetovar kanë vendosur të ndajnë rrugët me akord të dyanshëm, duke respektuar dëshirën e lojtarit për të kërkuar skuadër ku do të ketë më shumë hapsira për lojë.
20 vjeçari është talent i dalë nga shkolla e futbollit Shkëndija dhe me paraqitje pozitive në ekipet e moshave arriti në skuadrën e parë, si dhe grumbullohej me moshat e Maqedonisë së Veriut.
Sezonin e fundit kur Shkëndija fitoi titullin e katërt kampion në histori, Luma u paraqit në 4 ndeshje, teksa shënoi edhe një gol.
Mungesa e hapsirave në një skuadër ku konkurenca është jashtëzakonisht e madhe duket se kanë bindur lojtarin se pavarësisht dashurisë së madhe ndaj klubit amë, në këtë moment realiteti i tij është të kërkojë fatin në mjedis tjetër ku do të ketë më shumë minuta për lojë dhe me këtë të kërkojë kthimin te përfaqësuesja U21 e Maqedonisë ku ka të drejtë të paraqitet edhe një kampanjë.