Ajo që përflitej tashmë një kohë më të gjatë, sonte u bë edhe fakt. Kapiteni i Realit të Madridit, Serhio Ramos është larguar nga Real Madridi. Konfirmimi erdhi edhe nga klubi madrilen, përmes faqes së tyre zyrtare.
Ramos me Realin e Madridit kishte kontratë deri në fund të këtij muaji, mirëpo të dyja palët nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit.
Gjatë ditës së nesërme do të ketë edhe një konferencë shtypi lamtumirëse, në të cilën përveç Serhio Ramos do të marrë pjesë edhe presidenti Florentino Perez.
Real Madridi i ofroi kontratë një vjeçare Ramosit, ndërsa ky i fundit këmbëngulte për një kontratë dy vjeçare.
Serhio Ramos pjesë e Realit të Madridit është që nga viti 2005, kur erdhi nga rradhët e Seviljës, ndërsa falë paraqitjeve të tij ai morri epitetin e një legjende te skuadra “mbretërore”.
Ai me Realin e Madridit ka fituar 5 tituj kampion, dy Kupa dhe 4 Superkupa të Spanjës, ndërsa përveç tyre, ai fitoi 4 herë trofeun e Ligës së Kampionëve, 3 herë SuperKupën e Europës, ndërsa gjithashtu edhe 4 tituj kampion Bote në nivel klubesh.
Sezonin e kaluar Ramos zhvilloi vetëm 15 ndeshje me Realin e Madridit, kjo pasi në pjesën më të madhe ishte i lënduar. Për shkak formës së dobët, ai humbi edhe statusin e futbollistit te kombëtarja e Spanjës, duke mos qenë pjesë e ekipit në Euro 2020.
Shanset janë të mëdha që Ramos të rikthehet te klubi ku u rrit, Sevilja, drejtuesit e së cilës skuadër janë të gatshëm ti ofrojnë një kontratë 5-vjeçare, me një pagë vjetore prej 7 milion euro.