NS Mura nga Sllovenia është kundërshtari i 22-të i kuqezinjëve në duelet evropiane në këtë pjesëmarrje jubilare të 10-të të Shkëndijës në Kupat e Evropës, e teta e njëpasnjëshme dhe e katërta në eliminatoret e kompeticionit më të rëndësishëm europian, Ligës së Kampionëve.
Shorti i hedhur sot në Nion të Zvicrës për kundërshtar të kuqezinjëve caktoi kampionin e Sllovenisë, NS Mura.
Ndeshja e parë është caktuar të luhet më 6/7 korrik në Shkup, ndërsa takimi i kthimit në Slloveni do të luhet më 13/14 korrik.
Pas hedhjes së shortit trajneri Gjoka ka komentuar kundërshtarin dhe pritjet e Shkëndijës nga duelet me NS Mura.
“Mura është një ekip i fortë, është një ekip që vjen nga një kampionat që shquhet për përgatitje të lartë fizike. Gjithsesi edhe neve jemi përgatitur, sepse ne ishim koshientë se në Ligën e Kampionëve nuk ka ndeshje dhe ekipe të lehta. Do ta sudiojmë akoma edhe më shumë, do ta studiojmë deri në detaje dhe të përgatitemi për të vazhdu dhe për të ecur përpara duke pasur parasysh atë strategji që neve e kemi tonën” – u shpreh fillimisht Ernest Gjoka.
Informacione për kundërshtarin:
“Direkt në momentin që ra shorti morrëm një informacion të pjesshëm. E dimë që është një skuadër që ka 3 mbi vite që janë një grup futbollistësh bashkë, është një ekip që punon në grup, është një ekip që filozofinë e saj e ka në presingun dhe përgatitjen e lartë fizike, pastaj detaje tjera do i shikojmë pastaj dalëngadalë” – deklaroi Gjoka.
Ndeshja e parë si vendas:
“Personalisht mendoj që ka edhe të mirën e vetë se në këto takime me nga dy ndeshje, duhet të jesh shumë i kujdesshëm, sidomos kur i luan në fushën tënde, duhet të marrësh një rezultat pozitiv, në mbrojtje duhesh të jesh shumë i kujdesshëm që mos të pësosh asnjë gol, por ka edhe anën tjetër negative që ndeshja e dytë është një ndeshje që duhet të përgatitesh ndryshe, duhet në bazë të rezultatit që do kesh në fushën tënde, janë të ndryshme” – përfundoi trajneri i Shkëndijës, Ernest Gjoka.