UEFA i’a beson Shqipërisë para-eliminatoret e Ligës së Kampionëve

UEFA i’a ka besuar Federatës Shqiptare të Futbollit organizimin e tre ndeshjeve të turit para-eliminator të kompeticionit më të rëndësishëm europian, Ligës së Kampionëve.

Shqipëria do të mirëpresë ndeshjet e këtij turi që do të luhen nga data 22 deri me 25 qershor në Durrës dhe në Elbasan.

Më 22 qershor, në ora 20:00 do të zhvillohet gjysmëfinalja e parë midis skuadrës kampione të San Marinos, ESS Folgore dhe skuadrës kampione të Kosovës, FC Prishtina, ndeshje kjo që luhet në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit.

Po më datë 22 qershor dhe po në të njëjtën kohë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit luhet ehde gjysmëfinalja tjetër HB Torshavn (Ishujt Faroe) – Int. Club d’Escaldes (Andorra).

Fituesit e dy çifteve do të përballen në finalen e këtij turi që do të luhet më datë 25 qershor me fillim nëora 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena” për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohet për në fazën tjetër.

Kësisoj, UEFA vazhdon t’i besojë FSHF-së organizimin e eventeve të rëndësishme, duke marrë parasysh mirë-organizimin e ndeshjeve me rëndësi të madhe nga institucioni i futbollit shqiptar si dhe investimet e rëndësishme që janë bërë në infrastrukturë dhe në futboll përgjatë këtyre viteve.

Gjithashtu, kjo vjen edhe për shkak të lehtësimit të masave anti-Covid në Shqipëri dhe rënies së rasteve me këtë virus që bllokoi të gjithë botën për thuajse më shumë se një vit.

Ky lajm vjen pas një tjetër lajmi historik, siç është ai i organizimit të finales së kompeticionit më të ri në futbollin europian, “UEFA Conference League”, në stadiumin “Air Albania” në majin e vitit 2022.

LIGA E KAMPIONËVE – TURI PARAELIMINATOR
Gjysmëfinalet – datë 22 qershor 2021
SS Folgore (SMR) – FC Prishtina (KOS)
Ora 20:00, stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan
 
HB Torshavn (FRO) – Int. Club d’Escaldes (AND)
Ora 20:00, stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
 
Finalja – datë 25 qershor 2021
Fituesi 1 – Fituesi 2
Ora 20:00, stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan

Leave a Reply