Një skandal i madh ka plasur në ndeshjen e djeshme mes Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut, e ku në qendër të vëmendjes ishte futbollisti austriak me origjinë serbe, Marko Arnautoviç. Ky i fundit do të futej në lojë në minutën e 58, ndërsa në minutën e fundit të takimit vulosi historinë e përballjes ndaj Maqedonisë, duke shënuar edhe golin e tretë për Austrinë.
Menjëherë pas këtij golit, Arnautoviç nisi me ofendime ndaj Alioskit, që e detyruan kapitenin e austriakëve, David Alaba t’i mbyllte gojën me forcë.
Por çfarë realisht u tha mes tyre? E vështirë që të kuptohet, ndërsa sipas asaj që shkruajnë mediat serbe, Arnautoviç e kishte ofenduar Alioksin me nënën shqiptare.
Fjalë këto që nënkuptohen edhe me gjestet e lojtarit të Austrisë, që duket qartazi se origjina serbe e ka shënuar pavarësisht se ka parë kultura të ndryshme dhe të zhvilluara në vendet europiane.
Mirëpo me frikën e një dënimi të mundshëm të UEFA-s për racizëm, Arnautoviç ka kërkuar falje.
“Unë nuk jam racist dhe nuk do të jem kurrë racist. Kishte një duel fjalësh nga emocionet nga të dyja krahët. Ne duhet që ta fshijmë tani atë që ndodhi dhe unë kërkoj falje për këtë. Nuk ka rëndësi se çfarë i thashë, por nuk ka të bëjë me politikën mes vendeve. Për të gjithë njerëzit që janë prekur, kërkoj falje. Le ta harrojmë këtë pasi nuk i përket futbollit”, – tha Arnautoviç.