Idriz Batha, një ndër mesfushorët më të mirë në Superligën shqiptare, ka braktisur Tiranën, duke preferuar një transferim jashtë Shqipërisë, njofton “infOSport.mk”. Batha është futbollisti më i ri i skuadrës rumune të UTA Arad, aty ku vite më parë me mjaft sukses luante Mevlan Adili, futbollisti aktual i Vllaznisë së Shkodrës, si dhe dy shkupjanët tjerë, Bujamin Asani dhe Izet Ajrullahu.
UTA Arad edicionin e fundit e mbylli në vendin e 10-të dhe me blerjen e Idriz Bathës duke parë karakteristikat e vetë lojtarit do të ketë një vlerë të shtuar në mesfushën e saj.
Kjo është aventura e parë që Batha do ta ketë jashtë Shqipërisë, aty ku kishte luajtur me skuadrat si, Partizani, Teuta, Besa dhe Flamurtari.
Me Tiranën në këtë sezon 29-vjeçari është aktivizuar në total në të gjitha kompeticionet në 35 ndeshje, duke realizuar 9 gola.
Ndryshe në Superligën shqiptare, Batha numëron 262 ndeshje, 44 gola dhe 13 asistime.