Futbolli kosovar nga viti në vit po rritet shumë e më shumë, ndërsa këtë më së miri po e vërtetojnë transferimet e bujshme të bëra nga ana e skuadrave nga Kosova. Investimet e mëdha po bëjnë që shumë futbollistë eminent nga Shqipëria të transferohen në Kosovë, duke ngritur kështu edhe më shumë cilësinë e Superligës së Kosovës, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Gjilanit që edicionin e ardhshëm do të udhëhiqet nga trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi, brenda pak ditëve ka bërë dy blerje të bujshme, edhe atë nga skuadra e Tiranës.
Pas Elton Cale, drejtuesit e Gjilanit së fundmi kanë transferuar edhe argjentinasin e skuadrës nga kryeqendra shqiptare, Augustin Torrasa.
Bëhet fjalë për një sulmues krahu, i cili edicionin e fundit me Tiranën zhvilloi 25 ndeshje, duke realizuar edhe 1 gol, teksa bëhet emri i katërt në këtë afat kalimtar te skuadra e Gjilanit, pas siç përmendëm bashkëlojtarit të tij te Tirana, Elto Cale, Albert Dabiqajt dhe Ylber Hoxhës. (infOSport.mk)