Fantazisti i ri i Shkëndijës ka lënë pas angazhimet me ekipin përfaqësues të Maqedonisë U21 dhe është bashkuar me ekipin kuqezi në fazën përgatitore për pjesëmarrje në eliminatoret e UEFA Champions League. 20 vjeçari luajti 40 minuta në pjesën e dytë në testin Slloveni U21-Maqedoni U21 të fituar 3:0 nga vendasit dhe paraqitja e tij ishte shumë pozitive, ashtu si e gjithë ekipit në tërësi, pas një pjese të parë dëshpruese kur sllovenët kishin shënuar 3 gola.
“Heqim rezultatin, personalisht e vlerësoj si eksperiencë pozitive ndeshjen me Slloveninë. Ishte periudhë e mirë të jemi bashkë në përfaqësuese, të njihemi më mirë dhe të shofim se çka mundemi të bëjmë në të ardhmen. Unë jam i kënaqur me paraqitjen time, pasi u inkuadrova në pjesën e dytë dhe gjithë kohën ishim të barabartë me oponentin, për mos me thënë se në momente edhe më të mirë. Fatkeqësisht pjesën e parë e kishim mbyllur me tre gola negativë dhe në fund rezultati nuk ishte ai që deshtëm”, shprehet mesfushori 2 vjeçarë i Shkëndijës së Tetovës, Florent Ramadani.
Derisa Shkëndija ka nisur përgatitjet, stadi teknik i dha 3 ditë të lira dhe Ramadani është kthyer tashmë në Tetovë dhe me ekipin zhvillon fazën përgatitore për paraqitjen në Europë.
“Faktikisht për mua pushim nuk kishte fare. Pas përfundimit të sezonit duhej të bashkohem me përfaqësuesen, ndërkohë tashmë ekipi ka filluar përgatitjet. Kisha tre ditë të lira nga stafi teknik dhe tashmë jam kthyer në klub. Natyrisht është bukur të jem te ekipi im dhe duke ditur se përgatitemi për të luajtur në Europë. Jam shumë i motivuar të punoj shumë me shpresë që sezonin e ri të kem edhe më shumë hapsira dhe të njejtës t’i përgjigjem me paraqitje pozitive”, thotë Florent Ramadani.