Memelli me çdo kusht kërkon bashkëpunimin me dy futbollistët e Shkëndijës!

Pasi mbylli një sezon pozitiv me arritjen e objektivit minimal, duket se Migen Memelli do të fillojë të ndërtojë shumë shpejt Skënderbeun e sezonit të ri.

Nëse do të flasim për një ekip që do të kërkojë dhe synojë të jetë rivalizues për sezonin e ri, normalisht se Memelli përveç konfirmimeve, duhet të punojë fort për afrime dhe rikonfirmime të lojtarëve që ka pasur këtë sezon.

Për këtë trajneri i Skënderbeut ka kërkuar pak kohë për të reflektuar dhe më pas për të vendosur piketat mbi ekipin që do të përfaqësojë Skënderbeun në sezonin e ri.

Gjithçka pritet të nisë nga dyshja e Shkëndijës, Bekim Rexhepi dhe Leard Sadriu, dy lojtarë të cilët Memelli i kërkon me çdo kusht t’i ketë pjesë të ekipit. Që të dy këta janë në pronësi të Shkëndijës së Tetovës, ashtu që fjalën e fundit pritet ta kenë drejtuesit e skuadrës kampione të Maqedonisë, nëse edhe këtë edicion do të vendosin ta huazojnë këtë dyshe, që bëri shumë mirë te Skënderbeu.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Zguron dhe Taipin, të cilët kanë mbajtur një peshë të madhe në këtë sezon dhe që me shumë mundësi do të jenë të parët që do të bisedojnë për rinovimin.

Me arritjen e këtyre marrëveshjeve, trajneri bardhekuq do ta ketë më të thjeshtë që të tentojë afrime të tjera për të plotësuar më shumë ekipin për sezonin e ri. Sezon ku Skënderbeu do të vijë me objektiva krejt të ndryshme nga ky i mbyllur vetëm pak ditë më parë.

Leave a Reply