Agim Ibraimi largohet nga Kukësi, por jo edhe Shqipëria!

Agim Ibraimi është një futbollistë i lirë, kjo pasi të njëjtit i përfundon kontrata me Kukësin, te e cila skuadër bëri një sezon të shkëlqyeshëm, njofton “infOSport.mk”.

Ibraimi doli të jetë një lider i vërtetë i skuadrës nga Verilindja e Shqipërisë, duke mbyllur sezonin me 15 gola të shënuar, ndërsa gjithashtu ai mbajti edhe shiritin e kapitenit.

Nisur nga fakti se Kukësi mbeti jashtë zonës së Europës, por edhe problemeve me pagat që kishin muajt e fundit, Ibraimi po mendon për të ardhmen e tij, që me sa duket sërish është e lidhur me Superligën shqiptare.

Performanca e tij e shkëlqyeshme, e mbi të gjitha përvoja në futbollin europian, kanë shtyrë drejtuesit e skuadrës kampione të Teutës që të mendojnë seriozisht angazhimin e futbollistit tetovar.

Fakti që durrsakët do të luajnë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe se janë kampion të Shqipërisë, e kanë bindur edhe më shumë fantazistin nga Maqedonia. Tashmë ngelet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Ibraimit, duke pasur parasysh se interesim për të ka edhe nga Partizani, Tirana dhe Dinamo e rikthyer në Superligën shqiptare.

Leave a Reply