UEFA është gati që të ndryshojë një nga rregullat më te vjetra të futbollit, por edhe shumë vendimtare në aktivitetet e rëndësishme me sfida vajtje-ardhje.
Numri një i UEFA-s, Aleksander Çeferin dhe këshilltarët e tij mendojnë se ka ardhur koha që të mos ekzistojë më rregulli i famshëm i golit jashtë fushe.
Ky rregull deri më tani u jepte avantazh ekipeve që kishin shënuar në fushën kundërshtare, e që shpesh ulte bukurinë e ndeshjeve të kthimit pasi mjaftonte që të administrohej një 1:1 e siguruar në transfertë.
Tani, ky rregull pritet të zhduket, të paktën në aktivitet ndërkombëtare në futbollin evropian, e kësisoj, në rast barazimesh në golavarazh në dy ndeshje, do të shkohet në shtesa e më pas penallti.
Rregulli do të propozohet për ndryshim më 28 maj,ditën para finales së Ligës së Kampioneve, kur mblidhet zakonisht Kongresi i UEFA-s.
Nëse do të miratohet, atëherë do të zhduket në Europë ky rregull që zgjat që nga viti 1965.