Sulmuesi kumanovar, Taulant Seferi do të vijojë bashkëpunimin me Tiranën edhe për tre sezonet e ardhshme.
Lajmin e kanë bërë të ditur të dyja palët, përfshirë këtu edhe sulmuesin e Kombëtares Shqiptare, Taulant Seferin, i cili një gjë të tillë kishte njoftuar përmes rrjeteve sociale.
“Mbas një bashkëpunimi të mirë që patëm me KF Tiranën për këto 6 muaj huazim dhe pas një bisede të gjatë me drejtuesit e Klubit, vendosëm që të jem pjesë e KF Tiranës për 3 sezonet në vazhdim. Dua ta theksoj se do të jem Falënderues për tanë Jetën Ekipit të BSC Young Boys ku do ngelet Shtëpia ime e dytë”, – ka shkruar Seferi.
Sulmuesi 25-vjeçar erdhi te Tirana gjatë muajit janar të këtij viti në formë huazimi nga zviceranët e Jang Bojs, ndërsa pas negociatave të shumta, është arritur marrëveshja për të qenë pjesë e bardhebluve edhe për tre sezonet e ardhshme.
Detajet e transferimit final të Seferit te Tirana nuk bëhen të ditura, por vlen të theksohet se kumanovari tashmë do të jetë një nga pikat kryesore ku do të bazohen “bardheblutë” për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Aktualisht Taulant Seferi është nën urdhrat e trajnerit Edi Reja, në grumbullimin e kombëtares shqiptare në kuadër të dy miqësoreve të qershorit ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, ndërsa më pas do të nisë pushimet i qetë, pasi e ka sistemuar të ardhmen.