Renova falë Hadis Velii edhe vitin tjetër do luaj në Ligën e Parë (VIDEO)

Renova edhe pse me shumë vështirësi, në fund i’a doli të mund Ohrin në ndeshjen e balotazhit për mbijetesë në Ligën e Parë, edhe atë vetëm pas ruletit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 2:2, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse për fajin e tij, Ohri avansoi vetëm pas 4 minutave lojë, në fund portieri Hadis Velii, u tregua si njeriu vendimtarë në këtë fitore të Renovës, duke pasur parasysh se i njëjti ndali dy penalti të futbollistëve kundërshtarë, ndërsa në serinë e 5-të bëri që kapiteni Veljanovski të godas vetëm mbi portë.

Ndryshe Ohri avansoi vetëm pas 4 minutave lojë, kur Lupçe Trpeski me një goditje nga më shumë se 70 metra shënoi një gol që rrallë herë shihet në terrenet e futbollit. Një pjesë të fajit kishte portieri Hadis Velii, i cili në mënyrë të pakumptimtë lëshoi portën e tij, ndërsa edhe era që fryente në ato momente doli të jetë kundër tij, ashtu që në fund topi përfundoi në rrjetë për rezultat 1:0 në favor të Ohrit.

Nuk zgjati shumë dhe në minutën e 19-të, Renova barazoi shifrat në 1:1. Remzifaik Selmani mjaft mirë depërtoi nga e majta, duke kaluar disa futbollistë kundërshtarë, ndërsa pasi u fut thellë në zonën kundërshtare, me një pasim të saktë gjeti para portës kundërshtare bashkësulmuesin e tij, Shefit Shefitin, i cili nuk fali dhe në ato momente barazoi shifrat në 1:1.

Me këtë rezultat, skuadrat shkuan në pushim, ndërsa edhe pjesa e dytë doli të jetë kopje e të parës. Futbollistët e Ohrit ishin ata të cilët shënuan sërish të parët, këtë herë pas 5 minutave të kaluara, me autorë Robert Mitev.

Një gjë të tillë si duket nuk e kishin pritur futbollistët e Renovës, të cilët më pas morrën në tërësi kontrollin e lojës, duke krijuar disa raste të mira para portierit Simonovski, i cili në fund thjeshtë ju dhuroi barazimin futbollistëve të Renovës, pas asaj gafe të bërë në minutën e 89-të.

Ndërkohë paraprakisht i njëjti kishte shumë fat pas goditjeve të Suhejl Muharremit, i cili fillimisht pas një harkimi goditi traverzën, që më pas edhe shtyllën, para se të vinte ai momenti tragjik për Ohrin, kur Simonovski lëshoi topin nga duart, ndërsa këtë nuk e fali Shefit Shefiti, i cili nga afërsia shënoi për 2:2.

Pas këtij goli të shënuar në minutën e 89-të, arbitri kryesor tregoi 6 minuta lojë shtesë, ndërsa shumë pak mungonte që në këto minuta Renova të shënonte edhe golin e tretë, por që goditja e sulmuesit kolumbian Perez, në vend që të përfundonte në rrjetë, u ndal në shtyllë.

RULETI I PENALTIVE

Mirëpo fati sërish doli të jetë me Renovën, këtë herë në ruletin e penaltive, edhe pse Nenad Mishkovski huçi penaltinë e parë.

Në anën tjetër i saktë te Ohri doli të jetë futbollisti i talentuar shqiptarë, Atdhe Mazari, i cili shënoi për 1:0.

I saktë ishte edhe Georgievski në serinë e dytë, kur bëri që Ohri të avansojë me shifrat 2:0, ndërkohë kundërpërgjigjja erdhi me anë të Emran Ramadanit, i cili ngushtoi epërsinë në 2:1.

Në serinë e tretë dhe të katërt, Hadis Velii i’a arriti qëllimit që të ndal penaltitë e ekzekutuara nga ana e Trpeskit dhe Naumovskit, ndërsa kjo i mundësoi Renovës që të kalojë në avantazh, falë finalizimeve të sakta nga ana e Stojçevskit, gjegjësisht Shefitit,  që dolën të jenë të saktë, derisa në serinë e fundit, kapiteni Veljanovski e huçi gjithë kuadratin e portës së Velii, i cili në fund doli të jetë më i merituari për këtë fitore të madhe të Renovës, që në këtë mënyrë do të vazhdojë të jetë pjesë e elitës.

Në anën tjetër Ohri edhe përkundër rastit të mirë që kishte, do të duhet të pres inkuadrimin në mesin e më të mirëve, aty ku mungon për plotë 10 vite. (infOSport.mk)

Leave a Reply