Sukses i jashtëzakonshëm, 3 skuadra shqiptare do prezantojnë Maqedoninë në Europë

Një sukses i jashtëzakonshëm për skuadrat shqiptare në futbollin elitarë të Maqedonisë. 3 vendet e para të rezervuara për Shkëndijën, FC Shkupin dhe Struga Trim Lum, skuadra këto që kanë bërë krenar gjithë shqiptarët e Maqedonisë, por edhe ato nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora, shkruan “infOSport.mk”.

Shkëndija tashmë disa javë kishte siguruar titullin kampion, FC Shkupi thuajse ishte i sigurtë në pozitën e dytë, ndërsa sot Struga Trim Lum rrumbullaksoi suksesin historik personal, por edhe gjithë shqiptarëve, duke siguruar pozitën e tretë para Makedonija GJ.P.

Skuadra strugane në ndeshjen e xhiros së fundit mundi Sileksin në Kratovë me rezultatin minimal 1:0, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë fitoren e Makedonija GJ.P ndaj Vardarit në arenën “Todor Proeski”.

Si duket vendimtare ishte fitorja e Struga Trim Lum në duelin e drejtëpërdrejtë ndaj skuadrës nga Gjorçe Petrovi, kur në Shkup, kishin triumfuar me rezultatin 3:2.

Kësisoj Struga Trim Lum e mbylli sezonin e saj të dytë në mesin e më të mirëve në pozitën e tretë me 57 pikë, 2 më pak se FC Shkupi i vendit të dytë, ndërsa Shkëndija me 75 pikë me plotë meritë për herë të katërt në histori u shpall kampion i Maqedonisë së Veriut.

“Kuqezinjtë” nga Tetova edicionin e ri do prezantojnë vendin tonë në garat eliminatore të Ligës së Kampionëve, FC Shkupi dhe Struga Trim Lum në “Europa Conference League”, aty ku një vend do të kërkojnë Akademia Pandevi dhe Sileksi, skuadra këto që pas 3 ditëve do të takohen në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply