Vardari të dielën përjetoi ditën më të errët që nga themelimi në vitin 1947. Skuadra me më shumë trofe në vendin tonë, nga Struga u rikthye me disfatë, duke humbur në këtë mënyrë statusin e skuadrës elitare në vend, shkruan “infOSport.mk”.
Një gjë e tillë ka mërzituar tej mase tifozët e kësaj skuadre, “Komitët”, mirëpo në anën tjetër ka gëzuar tifozët e Shkëndijës, “Ballistët”, të cilët kanë pritur futbollistët e Vardarit, të cilët po riktheheshin nga Struga, e ndaj të cilëve kishin përgatitur provokimin e parë.
“2 nd League (Liga e Dytë)”, qëndronte në mbishkrimin e tyre të vendosur mbi urë, derisa autobusi i Vardarit po kalonte në autostradën drejt Shkupit.
E gjithë kjo ishte shoqëruar edhe me disa flakadane nga ana e disa prej tifozëve “Ballistët”, që në këtë mënyrë përcollën drejt Ligës së Dytë, tashmë dikur rivalin e tyre për titujt kampion në elitën e futbollit vendor.
Një provokim ky i rëndë nga ana e tifozëve të Shkëndijës, të cilët këtë vetëm javë më parë me futbollistët e tyre festuan titullin e katërt kampion, duke bërë që gëzimi i tyre këtë edicion të jetë i dyfishtë.