Sot në elitën e futbollit vendor në program janë ndeshjet e javës së parafundit të sezonit 2020/2021, njofton “infOSport.mk”. Deri më tani është zgjedhur vetëm çështja e kampionit, dhe ajo është Shkëndija, ndërsa mbetet e hapur gara për vendin e tretë, që siguron Europën, ndërsa edhe më e zjarrtë është gara për mbijetesë, ku luftojnë më shumë skuadra.
Një nga ndeshjet më interesante të javës, është ajo midis Struga Trim Lum dhe Vardarit, e ku përballë kemi dy skuadra me ambicie të kundërta. Ekipi strugan për herë të parë në histori është në pozitë për të garuar për një vend në Europë, ndërsa Vardari pas shumë vitesh sërish ndodhet në një situatë shumë të palakmueshme, ku vetëm çudirat mund ta shpëtojnë këtë skuadër nga rënia në Ligën e Dytë.
Përveç Struga Trim Lum, është edhe Makedonija GJ.P, që ende po ëndërron Europën, edhe pse sot skuadra shkupjane do të ketë një detyrë të vështirë kundër kampionëve të Shkëndijës.
Renova e Qatip Osmanit do të jetë mysafir i Borecit në Veles, aty ku nuk duhet të humb, pasi në atë mënyrë nuk do kishte mundësi ti ikte balotazhit.
Në Shkup, përveç ndeshjes midis Makedonija GJ.P dhe Shkëndijës, do të zhvillohen edhe dy ndeshjet tjera, FC Shkupi – Pelisteri dhe Rabotniçki – Sileksi, ndërkohë në Strumicë në program do të jetë derbi lokal midis Bellasicës dhe Akademia Pandevit. (infOSport.mk)