Milani “tallet” keq me Juventusin, Çampionsi edhe më afër (VIDEO)

Një Milan spektakolar sonte në Torino, që thjesht u “tall” me Juventusin e Andrea Pirlos, që me shumë gjasa po kalon ditët e fundit te “Zonja e Vjetër” si kryetrajner, njofton “infOSport.mk”. 3:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi, me autorë Braim Diaz, Ante Rebiç dhe Fikayo Tomori

Një paraqitje model e djemve të Piolit që i bënë të gjitha: tre gola, penalti e humbur dhe madje edhe patën dy dëmtime të rëndësishme si Ibra dhe Brahim Diaz.

Ky i fundit në minutën e parë shtesë të pjesës së parë shënoi golin e parë për Milanin, derisa në pjesën e dytë në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Ante Rebiç, që shënoi një tjetër super gol, dhe Fikayo Tomori, i cili i dha goditjen fatale Juventusit. Ky rezultat mund të ishte edhe më i thellë, në rast se Frank Kessie në minutën e 58-të shënonte nga pika e bardhë.

Falë kësaj fitore, Milani vazhdon të mbetet në pozitën e tretë me 72 pikë, po aq sa ka edhe Atalanta në pozitën e dytë, ndërkohë Juventusi tashmë mbetet jashtë zonës Çampions, duke u renditur në pozitën e 5-të me 69 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply