Juventusi në fundjavë edhe përkundër disavantazhit që kishte, në fund arriti të marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për zonën Çampions, duke mundur Udinezen në transfertë me shifrat 2:1, mirëpo pavarësisht këtij triumfi duket se fati i trajnerit aktual, Andrea Pirlo në drejtim të bardhezinjve është i vendosur.
Sipas shtypit italian, Masimiliano Allegri pritet të kthehet në drejtim të “Zonjës s Vjetër” sezonin e ardhshëm. Rikthimi i tij në Torino mund të jetë çelësi për një tjetër rikthim të bujshëm te bardhezinjtë.
Bëhet fjalë për Moise Kean, i cili ka debutuar tek Juventus pikërisht nën drejtimin e Allegrit. Sipas “Gazzetta.it”, sulmuesi i ri, i huazuar te PSZh-ja nga Evertoni, mund të vendosë të kthehet në Itali në rast se trajnerit livornez do të marrë vendin e Pirlos.