Mërgim Vojvoda hero i Torinos, shënon golin e fitores ndaj Parmës

Më në fund golin e tij të parë në “Serie A” e ka gjetur edhe Mërgim Vojvoda, njofton “infOSport.mk”. Ylli i përfaqësueses së Kosovës doli të jetë heroi i skuadrës së Torinos, duke ndihmuar këtë skuadër për të shënuar fitore minimale 1:0 përballë Parmës në ndeshjen e fundit të javës së 34-të në elitën e futbollit italian.

Një krosim nga krahu i majtë i Ansaldit në minutën e 63-të gjeti të vetmuar në shtyllën e dytë mbrojtësin shqiptar, i cili nuk e pati të vështirë të shtyejë topin në rrjetën e Sepe.

Vojvoda pak më vonë sërish u gjetë në situatë për të shënuar pas një krosimi tjetër të Ansaldit, mirëpo këtë herë futbollisti i përfaqësueses së Kosovës nuk pati fat, ashtu që ndeshja u mbyll me fitore minimale të Torinos, që falë futbollistit shqiptarë regjistroi një fitore tepër thelbësore dhe jetësore për në garën për mbijetesë.

Pas 34 xhirove, Torino me 34 pikë renditet në pozitën e 15-të, ndërkohë Parma edicionin e ardhshëm sërish do të luaj në Serie B, kjo pasi skuadra nga Enio Tardini me vetëm 20 pikë të tubuara renditet në pozitën e parafundit. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply