Salzburgu ka fituar Kupën e Austrisë për edicionin 2020/2021, teksa në finalen e madhe mposhti ekipin e LASK Linz me shifrat 3:0, njofton “infOSport.mk”.
Në këtë ndeshje finale, në mesin e golashënuesve u regjistrua edhe futbollisti shqiptarë, Mërgim Berisha, i cili njëherit i kishte hapur rrugë fitores së madhe të skuadrës së njohur austriake, që në këtë mënyrë iu gëzua trofeut të 8-të në kuadër të Kupës.
Berisha realizoi gol në minutën e fundit të pjesës së parë, ndërsa në të dytën Salzburgu realizoi edhe dy gola të tjerë me anë të Aaronson (67’) dhe Mvepu (88’). Fitorja e Salzburgut mund të ishte edhe më e thellë, në rast se Daka në minutën e 70-të do të shënonte nga pika e bardhë.
Ndryshe për Mërgim Berishën ishte ky goli i 3-të në 4 ndeshje të zhvilluara në kuadër të Kupës, ndërkohë gjithsej goli i tij i 19-të sezonal në 38 ndeshje, përfshirë këtu edhe 11 gola në Bundesligën austriake, 4 në Ligën e Kampionëve dhe 1 tjetër në ndeshjet e Liga Europa. (infOSport.mk)