FC Shkupi nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen e javës së 31-të kundër Makedonija Gj.P, i dyti ky me rradhë pas atij ndaj Struga Trim Lum, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra nga Çairi zhvilloi një pjesë të parë shumë më të mirë, ku edhe kishte dy raste ideale për gol, e që realisht duheshe të shfrytëzoheshin.
Fillimisht në minutën e 15-të, Rexhinaldo doli i vetëm para portës kundërshtare, por goditja e tij përfundoi mbi shtyllë, ndërkohë në rastin tjetër Matej Cvetanovski nuk arriti të mposhtë portierin Stevkovski, edhe pse doli i vetëm sy me sy përballë portierit të Makedonija GJ.P.
Skuadra mike për herë të parë më seriozisht në këtë ndeshje u kanos në minutën e 23-të, pas goditjes së Robson nga distanca, por që shkoi jashtë kuadratit.
Ishte kjo gjithçka që mund të veçohej gjatë 45 minutuëshit të parë, ndërsa pjesa e dytë doli të jetë më e balansuar, me të dyja skuadrat që si duket u pajtuan me këtë barazim pa gola.
Në këtë pjesë loje, Neto dhe Alvarez ishin futbollistët që tentuan të mposhtin portierin Stevkovski, ndërkohë në anën tjetër Robson nga gjuajtja e lirë vuri në provë serioze portierin vendas, Naumovski, i cili grushtoi topin duke devijuar në rivënie nga këndi.
Në fund barazim pa gola, me dy skuadrat shkupjane që nuk ndryshojnë pozita dhe për momentin shohin me sy ka Europa, mirëpo që duhet theksuar se Makedonija GJ.P, nuk ka asgjë të sigurtë, kjo për faktin se Struga Trim Lum mundi Shkëndijën në Gostivar dhe tashmë është vetëm një pikë larg skuadrës nga Gjorçe Petrovi.
52 pikë ka skuadra e Makedonija GJ.P në pozitën e tretë, ndërkohë Struga Trim Lum me 51 pikë renditet në pozitën e katërt. FC Shkupi me 57 pikë me shumë gjasa do ta mbyll sezonin në pozitën e dytë, pas skuadrës kampione të Shkëndijës. (infOSport.mk)