Ndodhi edhe kjo, Barcelona humb nga Granada në “Kamp Nou”, buzëqeshin skuadrat madrilene (VIDEO)

Kur të gjithë e shihnin Barcelonën lidere pas shumë javësh në La Liga, ndodhi e papritura. Barcelona e Ronald Kuman humbi në “Kamp Nou” nga skuadra modeste e Granadas me rezultatin 2:1. Ishte kjo fitorja e parë e Granadas në fushën “katalunase”, duke shkruar në këtë mënyrë historinë, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja në “Kamp Nou” është zhbllokuar nga një gol i bukur i Leo Messit në minutën e 23-të. Argjentinasi ka tundur rrjetën pas një kombinimi perfekt me francezin, Antuan Grizman.

Megjithatë befasia erdhi në pjesën e dytë, kur Granada arriti që të shënojë dy herë në rrjetën e Ter Shtegen. Fillimisht Machis në minutën e 63-të barazoi shifrat në 1:1, ndërkohë në të 79-tën Molina i dha avantazhin skuadrës mike, që e rjati deri në fund, duke i shkaktuar ndoshta një ndër disfatat më të dhimbshme Barcelonës këtë edicion.

Pas kësaj humbje, Barcelona mbetet në pozitën e tretë me 71 pikë, po aq sa ka Reali në pozitën e dytë, derisa Atletiko Madridi vazhdon të ruajë kryesimin me 73 pikë, kur deri në mbyllje të kampionatit kanë mbetur vetëm edhe 5 xhiro. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply