Tre ditë pasi matematikisht siguruan titullin e kampionit për sezonin garues 2020/2021, futbollistët e Shkëndijës në kuadër të xhiros së 30-të do të përballen me Rabotniçkin në Shkup, në stadiumin “Todor Proeski”, aty ku javë më parë shkruajtën historinë, duke regjistruar fitoren më të thellë në duelet përballë rivalit të madh, Vardarit, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra “kuqezi” ka festuar vetëm të dielën, ndërsa nga dita e hënë vëmendja është kthyer ka katër sfidat e fundit të këtij sezoni. Rabotniçki është rivali i parë nga ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit dhe kuqezinjtë kërkojnë të ruajnë përqendrimin për të mbyllur si duhet edhe pjesën e mbetur të kampionatit.
Rabotniçki është ndër skuadrat më të mira në vend, por është e qartë se përballen me vështirësi për të realizuar planin për rikthim në një ekip që rregullisht do të luajë në Europë. Rënia që pësoi ekipi vitet e fundit po reflekton edhe në këtë kampanjë dhe në katër xhiro para fundit Rabotniçki sheh veten jashta pozitave që çojnë në Kupat e Europës.
Pozita e pestë në renditje me 41 pikë të tubuara i len 7 pikë larg vendit të tretë që mundëson Europën. Matematikisht është e arritshme, pasi në lojë janë edhe 12-të pikë, por mbetet të shihet nëse Rabotniçki do të tregojë aftësi për të marrë maksimumin dhe nëse diçka e tillë do të mjaftonte për Europë, pasi edhe Struga Trim&Lum e Makedonija Gjorçe Petrov vështirë se do të humbin gjitha ndeshjet deri në fund.
Ndeshja Rabotniçki-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin ‘Todor Proeski’ në Shkup me fillim në orën 13:00.