Drita e Ardian Nuhiut është ndalur në Pejë nga Besa, skuadra e fundit në tabelë, duke komplikuar kështu edhe më shumë ‘misionin’ drejt mbrojtjes së titullit të kampionit. Skuadra e strategut shkupjan barazoi 1:1 në transfertën në Pejë, barazim ky që tashmë skuadrën nga Gjilani e zbret në pozitën e tretë, mirëpo ende në garë të ngushtë për titullin kampion.
Hapin fals të Dritës e ka shfrytëzuar në maksimum Ballkani, që në Suharrekë mundi Llapin me rezultatin minimal 1:0.
Blend Baftiu realizoi golin e vetëm për Ballkanin, në një ndeshje që pati shumë tension dhe që në fund u mbyll edhe me tre kartonë të kuq.
Fitore të rëndësishe në garën për titullin kampion ka shënuar edhe Prishtina e Zekirja Ramadanit, që si vendas me rezultatin 3:1 mundi Trepçën ’89.
Leotrim Kryeziu me dy gola dhe Endrit Krasniqi me një tjetër kontribuan në fitoren e kryeqytetasve, që tashmë i shpie në pozitën e dytë të klasifikimit, ndërkohë që Ardian Muja realizoi golin e nderit për skuadrën nga Mitrovica.
Në duelin tjetër të ditës së sotme, Gjilani i Ismet Munishit barazoi pa gola ndaj Drenicës. Kujotjmë dje, Feronikeli në terren vendas u mund nga Arbëria, duke bërë garën për mbijetesë shumë interesante. (infOSport.mk)