Inter është shumë pranë titullit në Serie A, teksa këtë sezon kanë qenë ata dominuesit e kampionatit. Juventus, por më së shumti Milan, nuk ia dolën të mbanin hapin e “zikaltërve” dhe tashmë për çështje kohe mund të festojnë edhe zyrtarisht.
Madje, festa mund të vijë më datë 2 maj, kur Inter të ndeshet me Krotonen në transfertë në rast fitoreje dhe nëse nga ana tjetër Atalanta nuk fiton dot ndaj Sasuolos. Por, edhe nëse ky skenar nuk realizohet, atëherë më datë 8 maj duket sikur do të ishte momenti i duhur teksa Inter pret në shtëpi Sampdorian dhe do të mjaftonte ta fitonte atë takim për të filluar festën “zikaltër”.
Kujtojmë se Interi nuk e fiton titullin zyrtarisht pas një ndeshje shtëpiake prej vitit të largët 1989, megjithatë në këtë pikë, trajnerit Antonio Konte nuk i interesojnë shumë statistikat dhe e pret titullin sa më shpejt të jetë e mundur.