Struga Trim Lum të dielën në një ndeshje infarkt mundi Makedonija Gj.P në Shkup, duke hapur rrugën drejt Europës, njofton “infOSport.mk”.
Fitore 3:2 ndaj rivalit të drejtëpërdrejtë për pozitën e 3-të, për më tepër që u arrit në fushën e kundërshtarit dhe në minutat shtesë të takimit, kjo falë vetëbesimit të madh të futbollistëve “bardhekuq” nga Struga.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Makedonija GJ.P, skuadër kjo që avansoi me golin e brazilianit Robson da Silva. Braziliani shënoi nga pika e bardhë në minutën e 41-të, ndërkohë në pjesën e dytë, më saktësisht në 10 minutëshin e fundit (përfshirë edhe shtesën prej 6 minutave) ndodhën çudirat.
Gjithçka nisi me golin e Marjan Altiparmakovskit në minutën e 84-të nga penaltia, kur sulmuesi i Struga Trim Lum barazoi shifrat në 1:1, që më pas Bosançiç në minutën e fundit të kohës së rregullt të kaloj për herë të parë Struga Trim Lumin në epërsi (1:2), pavarësisht faktit se nga minuta e 72-të skuadra strugane luajti me një futbollistë më pak në fushë pas përjashtimit të kapitenit, Flamur Tairi.
Mirëpo këtu nuk ishte fundi i dramës, pasi e njëjta vazhdoi edhe në minutat shtesë. Makedonija Gj.P falë golit të Aleksovskit në minutën e 92-të barazoi rezultatin në 2:2, dhe kur të gjithë menduan se kjo ndeshje do të mbyllet me barazim, një ndërhyrje e palejuar e mbrojtësi vendas Liçina ndaj Altiparmakovskit, i mundësoi këtij të fundit që të shënoj sërish nga pika e bardhë dhe ti sigurojë fitoren e madhe Struga Trim Lumit në këtë transfertë.
Kështu, pas 29 javësh kampionat, Makedonija Gj.P renditet në pozitën e 3-të me 48 pikë, ndërkohë Struga Trim Lum me 47 pikë në pozitën e katërt, me gjasa reale që në fund të bëjë ëndërrën realitet dhe për herë të parë të sigurojë një vend për në arenën ndërkombëtare. (infOSport.mk)