Një presion i madh politik, jo ai i tifozëve është shkaku i tërheqjes së skuadrave nga Superliga, sipas mediave spanjolle. Skuadrat angleze kanë zgjedhur të bëjnë prapakthehu nga 12 themeluesit e kompeticionit të ri.
Liverpull, Totenham, Arsenal, Çelzi, Mançester Siti dhe Mançester Junajted duket se e kanë braktisur përfundimisht idenë e turneut të ri “anti-Champions”, themeluar së bashku me Real Madrid, Barcelona, Atletiko Madrid, Juventus, Inter dhe Milan. Sidoqoftë, çështjet “mjedisore” nuk duket të jenë arsyet e vetme. Sipas asaj që raportohet nga “Mundo Deportivo”, ekziston edhe një arsye ekonomike: ofertë parash nga UEFA.
Gazeta spanjolle ka mësuar se UEFA ka luajtur një rol thelbësor në vendimin e gjashtë të mëdhenjve të Premierligës angleze për të hequr dorë nga Superliga.
Ajo ka propozuar një ofertë ekonomike për klubet angleze, që t’i bindë ato të tërhiqen. Kjo ofertë, megjithatë, nuk arriti në klubet spanjolle, të cilat nga organi më i lartë europian shihen si armiku kryesor, i udhëhequr nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez.
Pikërisht për këtë arsye, skuadrat spanjolle nuk kanë marrë ende një pozicion negativ në mosmarrëveshjen e turneut të ri. Në të vërtetë, Barcelona dhe Real Madridi duken larg braktisjes së idesë së Superligës.