Goce Sedlloski, një emër i njohur për opinionin sportiv në vendin tonë, dje edhe zyrtarisht morri timonin e FC Shkupit, skuadër kjo që aktualisht ndodhet në pozitën e dytë, në të cilën edhe pretendojnë të mbesin, kjo pasi Shkëndija tashmë thuajse ka fituar garën për titullin e kampionit.
“Kuqezinjtë” nga Tetova kur kanë mbetur edhe 6 xhiro deri në mbyllje të sezonit kanë plotë 13 pikë më shumë se FC Shkupi, ndërsa i vetëdijshëm se këtë edicion nuk mund të bëjnë asgjë rreth titullit kampion, edhe trajneri i ri, Goce Sedlloski, theksin e vuri për sezonin e ardhshëm. Ai në prezantimin e tij, tha se këto 6 xhiro do të njeh skuadrën nga afër, kjo pasi nga formacioni aktual i FC Shkupit, njeh vetëm 2-3 futbollistë.
“Fillimisht dua të falënderoj kryesinë, pronarin dhe të gjithë që më dhanë mbështetje. Kishim bisedime dhe gjatë dimrit, por asaj kohe nuk gjetëm gjuhën e përbashkët, ja tani kjo ndodhi përsëri dhe në bisedime të sërishme me kryesinë sollëm vendim që të vijë te FC Shkupi. Kërkesa e tyre për sezonin e ardhshëm dhe ajo e imja është në një vijë. E kam parasysh se shumë po investohet në këtë klub, kanë angazhuar shumë futbollist, edhe pse thënë sinqerisht nga këta futbollist njoh vetëm dy apo tre me të cilët kam punuar pak në kohën kur isha te Vardari, ndërsa të tjerët për mua janë të panjohur. Këto gjashtë ndeshje u tash njerëzve që janë këtu se më duhet ti njoftoj lojtarët, pasi të gjithë po themi se kemi ekip të mirë, po, por duhet të shoh në vend ngjarje dhe punën time shoh me një fazë të mirë të përgatitjeve që sezonin e ardhshëm ta arrijmë atë që e kërkon Shkupi” – është shprehur fillimisht, Goce Sedlloski.
“Të gjithë këta futbollist që i kemi këtu, për mua fillojnë nga zero, secilit do ti jepet rasti, të shoh se sa vlejnë. Të gjithë më thonë se kanë potencial, por pasi që nuk isha në vend nuk e kam përcjell fare kampionatin, e shoh se jemi në pozitën e dytë, ndërsa në gjysmë sezon ishim në katër pikë diferencë ndaj Shkëndijës dhe tani ajo është shtuar, por kjo është pasqyra momentale, ashtu sikurse edhe thash ndeshjet e mbetura duhet ti punojmë me angazhim maksimal, ndërsa nga vera të fillojmë atë qe e kam menduar unë dhe kryesia”, – ka thënë Sedlloski.
Sedlloski karrierën e trajnerit e kishte filluar si ndihmës te skuadra e Bundesligës austriake SV Mattersburg (2010–2013), më pas ishte asistent edhe në reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2011–2012.
Me skuadrën e Horizont Turnovës punoi si trajner në vitin 2013–2014, që më pas të kalojë në detyrën e drejtorit sportiv te Vardari (2014–2015), te e cila skuadër gjatë viteve 2015–2017 ushtroi edhe detyrën e trajnerit, duke u shpallur dy herë kampion, ndërsa gjithashtu kishte fituar edhe SuperKupën e Maqedonisë.
Në vitin 2018 ai mori drejtimin e skuadrës Riga të Letonisë, ndërsa një vit punoi edhe në Bosnjë e Hercegovinë me ekipin e Shiroki Brijeg. Nga viti 2020 Sedlloski ishte trajner me skuadrën e dytë të Dinamo Zagrebit, aty ku edhe bëri një karrierë shumë të mirë si futbollistë, ku për një kohë të gjatë mbante edhe shiritin e kapitenit.