Edhe përkundër dëshirës së madhe dhe tentativave për të veshur “kuqezi”, Nedim Bajramin, një dëshirë e tillë e krerëve të Federatës shqiptare të futbollit, por edhe vetë futbollistit nuk u realizua, kjo për shkak rregullores së re të FIFA-s, që thoshte se një futbollistë që ka luajtur me moshat e një kombëtare tjetër kur veçmë ka mbushur 21 vjet, nuk mund të ndryshojë kombëtare.
Kësisoj drejtuesit e Federatës shqiptare tashmë i referohen një tjetër neni nga rregullorja e re e FIFA-s, që thotë se një futbollistë, i cili për më shumë se tre vite nuk thirret nga ekipi kombëtar për të cilin ka luajtur dhe nuk ka debutuar në asnjë Kupë bote apo Europe, mund të ndryshojë kombëtare.
Kësisoj FSHF po synon të afroj në kombëtare mesfushorin 28 vjeçar me origjinë nga Struga e Maqedonisë së Veriut, Pajtim Kasami.
Strugani ka një karrierë të pasur futbollistike, duke luajtur në disa kampionatë të fuqishme, përfshirë këtu edhe Premierligën angleze, ndërsa aktualisht është pjesë e skuadrës shumë herë kampione të Zvicrës, Bazelit.
Mesfushori 28-vjeçar ka dhënë dakordësinë e tij në parim për t’u veshur kuqezi, ka raportuar së fundmi “Panorama Sport”, sipas së cilës Kasami e ka lënë të hapur mundësinë për t’iu bashkuar Shqipërisë në rast se FSHF do të zgjidhë të gjitha çështjet juridike. Ky është kushti i vetëm që ai ka vendosur për Shqipërinë, pra të zgjidhë çështjet juridike për të dhe ai të mos ketë ndonjë problem të tillë, si ai i Nedim Bajramit. Ky i fundit kishte lënë përfaqësuesen e Zvicrës, për t’iu bashkuar Shqipërisë në ndeshjet e marsit, ku edhe pse ishte grumbulluar, nuk pati fatin që të luaj asnjë ndeshje.