Skuadra e Partizanit gjatë ditës së sotme në stadiumin “Air Albania” do të mirëpres Bylisin në ndeshjen e fundit të javës së 27-të në Superligën shqiptare, njofton “infOSport.mk”.
“Demat e Kuq” do të kërkojnë të marrin maksimumin edhe për të mos humbur kontaktet me Teutën kryesuese, e cila gjatë ditës së djeshme mundi Apoloninë.
Trajneri Ilir Daja për këtë sfidë pritet të ketë në dispozicion nga minuta e parë edhe Ferhan Hasanin, nga i cili pritet të bëhet diferenca.
Nga ana tjetër, Bylis mund të shfrytëzojë më së miri ndalesën e djeshme të Kastriotit dhe nëse ia del të marrë pikë të plota nga transferta në kryeqendrën shqiptare, atëherë do t’i afrohej në vetëm një pikë dhe në javët në vazhdim do të ishte tërësisht në garë për të shmangur balotazhin.
Ndaj, tre pikët duket të jenë të domosdoshme për të dyja skuadrat dhe në fushë pritet një luftë e fortë sportive. Gjithashtu vlen të theksohet se të kuqtë duhet të thyejnë edhe një tabu me Bylisin përsa i përket ndeshjeve shtëpiake duke qenë se nuk i mposhtin prej shtatë viteve.