Reagon Sejdini: Nuk pres të më lavdërojnë, unë nuk asistoj e as nuk shënoj gol, qëllimi është suksesi dhe asgjë tjetër!

Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini ka demantuar mediat për lajmet e ditës së djeshme rreth himnit të përfaqësueses A për Kampionatin Europian. Numri një i FFM-së thotë që ai nuk ka ndërhyrë e aq më pak nuk ka tentuar që të heq meritat dikuj, pasi sipas tij kjo do të ishte një prej cilësive më të këqija që një person mund të ketë. Sejdini ka potencuar se obligimi i tij është që ta ruaj atmosferën e mirë në përfaqësuesen e Maqedonisë.

REAGIMI I PLOTË I PRESIDENTIT TË FFM-SË, MUAMED SEJDINI:

I dashuri opinion sportiv dhe më gjërë,

Zakonisht praktikoj të komunikoj me ju sa herë që shpallim projekte të reja, suksese dhe informacione që promovojnë futbollin në vendin tonë. Në një periudhë kur po jetojmë përallën tonë të shumëpritur të futbollit, ajo është e vetmja gjë logjike për tu bërë.

Në një rast e kam thënë publikisht: “Nëse edhe shteti do të funksiononte si përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë, do të ishte diçka shumë e mirë për të gjithë”.

Atë e mendoj edhe sot, por kësaj here jam i detyruar t’ju drejtohem të gjithëve me rastin e shkrimeve në disa portale në lidhje me marrëdhënien time me seleksiuesin.

Mundohem, por asesi nuk mund ta kuptoj nevojën për sensacione gazetareske dhe tituj të cilat askuj nuk i bëjnë favor, dhe që janë plotësisht të pasakta e të pavërteta dhe të cilat me vendosmëri i mohoj.

Unë, Muamed Sejdini, jam plotësisht i bindur se në këtë moment kemi gjeneratën më të mirë të futbollistëve në vendin tonë, gjeneratë që solli rezultatin më të mirë në historinë e futbollit të Maqedonisë dhe më besoni, ata do të vazhdojnë edhe më shumë të na gëzojnë gjithë neve.

Këtë e kam menduar edhe në periudhën e eliminatoreve për Kampionatin Europian qershor-shtator 2019, kur një numër i madh i punëtorëve sportive dhe opinion kërkonin shkarkim të seleksionuesit në atë periudhë kur luanim me Izraelin, Poloninë, Austrinë dhe nuk kishim rezultate të mira.

Por, unë besoj në vazhdimësi, dhe se vendimet e shpejtuara nuk janë vendime të mira. Dhe unë besoj fort se pas çdo suksesi ju duhet kohë dhe shumë punë. Kjo doli të jetë e drejtë. Rezultatet erdhën pas dy viteve dhe kjo na lumturon gjithë neve.

Edhe atëherë unë isha cak i kritikave nga opinioni, ja edhe tani, por gjithça ia vlen kur keni një qëllim të sinqertë para jush dhe e vetmja që për të cilën mendoni është suksesi.

Kjo Maqedoni është e fuqishme dhe qëllimi im është paraqitje e rregullt në gara të mëdha dhe jemi në rrugë të mirë për ta arritur këtë.

Absolutisht nuk pres që dikush të më lavdërojë personalisht mua për këto gjëra, sepse unë as asistoj, as shënoj gol, as bëj taktika për ndeshjen, këtë e bëjnë djemt tanë të artë dhe stafi teknik.

Se sa pak u duhet të gjithë njerëzve që jetojnë në Maqedoni për lumturi dhe gëzim, e treguan 90-të minutat e ndeshjes me Gjermaninë, sidomos pas fishkëllimës së fundit të arbitrit.

Përgjegjësia ime më e madhe që i kam dhënë vetes është kjo atmosferë në përfaqësuese, kjo përallë të vazhdojë, të përmirësohet dhe askush tjetër prej anësh most ë arrijë të na prishë atë.

Në sport është normale të ketë debate dhe ato të zgjidhen brenda dhe me marrëveshje, pasi qëllimi i të gjithë neve është që Maqedonia të shkojë vetëm përpara dhe në asnjë mënyrë tjetër!

Unë gjithmonë kam praktikuar të dëgjoj këshillat e profesionistëve në fushën e tyre, kështu ishte edhe rasti me himnin e tifozëve, u zgjodh ajo që sugjerohej si zgjidhja më e mirë. Kurrë nuk do të kisha lejuar të ndërhyja në punën e tyre dhe veçanërisht të hiqja meritat e merituara dikuj, kjo do të ishte një prej cilësive më të këqija që një person mund të ketë.

Tani është koha jonë për t’u bashkuar të gjithë pas ekipit përfaqësues të futbollit të Maqedonisë.

Tani është koha jonë për të ndihmuar të gjithë për sukses në Kampionatin Europian që na pret!

Ndërsa, unë në çdo kohë jam në disponim për të gjitha mediat për t’u përgjigjur të gjitha pyetjeve të tyre.

Ju siguroj, se nuk do të lejoj askënd dhe për asnjë kusht jashtë futbollit të prishë atmosferën e mrekullueshme që mbretëron në ekipin përfaqësues. Ky është qëllimi dhe obligimi im. Le ta ruajmë atë që na bën të gjithëve të lumtur, krenar dhe të gëzuar.

Tani vërtetë është koha jonë!

Përpara Maqedoni!

Leave a Reply