Përfaqësuesja e Maqedonisë në futsal edhe përkundër mungesave të mëdha që kishte në formacion, bëri një ndeshje shumë të mirë ndaj Bosnje e Hercegovinës në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin e ardhshëm Europian, njofton “infOSport.mk”.
Maqedonia pësoi disfatë 2:3, me boshnjakët që golin e fitores e shënuan vetëm 12 sekonda para fundit të takimit, edhe atë në mënyrë shumë diskutabile.
Pjesa e parë u mbyll në epërsi të boshnjakëve me golin e Josip Sesar në minutën e 13-të. Maqedonia tregoi lojë të mirë në fillimin e pjesës së dytë dhe menjëherë barazoi shifrat. Kapiteni Rangotov u gjet mirë para portës së mysafirëve dhe arriti që të mposht portierin kundërshtar në minutën e 22-të. Në ato momente, Maqedonia ishte më e mirë mbi parket dhe kërkonte edhe golin e dytë. Por, kundërshtari kaloi në epërsi me golin e Hërkaç në minutën e 35-të. Maqedonia arriti të barazoi sërish rezultatin, kësaj here me talentin e FC Arben Bajrami, Jakup Ramadanin, por BeH shënoi golin e tretë përmes Jeliq për fitore 3:2. Finalizimi ishte i arritur nga një situatë e dyshimtë dhe video materiali konfirmoi se topi nuk e kishte kaluar vijën e golit.
Maqedonia ndeshjen e fundit në këto eliminatore do ta zhvillojë me Rumaninë si mysafirë me 14 prill.
Ndërkohë greva e kontrollorëve të Aerportit “Nënë Tereza”, edhe pezullimi i fluturimeve për këtë shkak, ka krijuar mjaft problem për udhëtimet jashtë vendit. Edhe kombëtarja shqiptare e futsallit nuk do ta zhvillojë ndeshjen e eliminatoreve të Europianit 2022 me Ukrainën, e programuar për t’u luajtur më 11 prill 2021 në Zaporozhja, sipas faqes zyrtare të FSHF-së.
Zyra e shtypit në këtë institucion bën me dije se shkak për këtë ndryshim të programit është bërë bllokimi i fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Kombëtarja duhet të ishte nisur që mëngjesin e së enjtes drejt Ukrainës, por e ka pasur të pamundur. Federata Shqiptare e Futbollit ka vënë menjëherë në dijeni UEFA-n për situatën e krijuar dhe për pamundësinë e udhëtimit.