Struga Trim Lum gati për të shkruar historinë

Struga Trim Lum është gati për të shkruar historinë më të lavdishme që nga themelimi i saj në vitin 2015-të. Ekipi strugan sot do të zhvillojë ndeshjen më të rëndësishme të saj, atë gjysmëfinale kundër Sileksit nga Kratova, përmes së cilës do të tentojë të prek finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë, që njëherit do të ishte edhe suksesi më i madh në historinë 6-vjeçare të këtij klubi, njofton “infOSport.mk”.

Një gjë të tillë pohon edhe mbrojtësi Jasmin Mecinoviq, i cili në një prononcim për faqen zyrtare të klubit strugan, thotë se ekipi si asnjëherë më parë është i gatshëm për të dhënë më të mirën nga vetja dhe për të shkruar historinë e Struga Trim Lum, që këtë edicion po bënë shumë mirë edhe në kampionat.

“Pas disa ndeshjeve pa fitore, u rikthyem në rrugën e fitoreve. Ndeshja me Bellasicën na dha shumë vetëbesim para ndeshjes me Sileksin. Të gjithë këtu jemi të gatshëm për të shkruar historinë e këtij klubi. Jam i bindur se të gjithë do të japim 100% nga vetja dhe se do të kualifikohemi në finalen e madhe. Nuk duhet të na gënjej pozita në të cilën ndodhet Sileksi në tabelën e klasifikimit, pasi ata janë një skuadër e mirë. I dimë edhe dobësitë e tyre. Mendoj se do të jetë një ndeshje mjaft interesante dhe se në fund do i gëzohemi fitores” – u shpreh Jasmin Mecinoviq.

Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Sileksit starton në ora 13:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitri Krumisllav Gjeorgiev nga Shtipi. (infOSport.mk)

Leave a Reply