Futbollisti me origjinë nga Tetova, Nedim Bajrami është një futbollist me shumë të ardhme dhe që ka rritur pritshmërinë e opinionit publik, për vlerën që do t’i shtojë Kombëtares shqiptare.
Mirëpo, talenti i Empolit nuk debutoi dot në mars me Shqipërinë dhe shkak për këtë bëhet burokracia e FIFA-s dhe përditësimi i rregulloreve që kanë ndodhur që nga muaji janar.
Po çfarë nuk shkon me situatën e talentit? Cilat janë shkaqet që e pengojnë të vishet kuqezi? Ku qëndron FSHFja në hierarkinë e fajeve dhe vetë lojtari çfarë përgjegjësie ka?
“Panorama Sport” rendit disa shkaqe që e kanë sjellë ngërçin e kalimit te Shqipëria për talentin, në këtë pikë: Së pari, vihet re që në FSHF nuk ishin të përditësuar me ndryshimet e fundit të rregullores së FIFA-s, të bëra në janar dhe që e pengojnë ndryshimin e kombëtares për talentin 22-vjeçar.
Së paku të ishin interesuar në FIFA për mundësinë e kalimit të tij me kuqezinjtë. Së dyti, vetë lojtari me neglizhencën e tij është jo pak fajtor. Shqipëria, me anë të trajnerit Reja ka bërë me dije interesimin për djaloshin dhe në momentin që ai dhe menaxheri apo familja e tij e kanë diskutuar këtë çështje, të mund të ishin të kujdesshëm edhe për aspektin burokratik.
Përgjigjja e vonuar dhe nisja e dokumenteve këtë vit, bën që për vetëm 2- 3 muaj të pengohet për të luajtur.