Teuta ka shënuar fitore minimale 1:0 përballë Laçit në derbi ndeshjen e javës së 26-të në Superligën shqiptare, njofton “infOSport.mk”.
“Djemtë e Detit” kanë dominuar dhe i janë afruar disa herë golit me Lorenco Vilën dhe Dejvi Bregun që në 45 minutat e para, që u mbyllën në barazim pa gola.
Vlonjati Bregu ishte protagonisti absolut, duke vallëzuar në zonën e Laçit dhe duke shënuar një gol fantastik, i 50-ti për të në Superiore. Kurbinasit tentuan të mos mposhteshin në Durrës, por nuk ia dolën dot dhe tani bien në vendin e tretë që e ndajnë me Partizanin.
Këta të fundit në një tjetër ndeshje derbi të kësaj jave barazuan pa gola ndaj Vllaznisë në Shkodër. Skuadra shkodrane numëron 46 pikë në vendin e dytë, njëjtë sikurse edhe Teuta e vendit të parë, ndërkohë Laçi dhe Partizani me nga 44 pikë renditen në pozitat 3 dhe 4.