Probleme te Shqipëria para ndeshjes me San Marino, ndeshje kjo që në program është të mërkurën. Për këtë ndeshje trajneri Edi Reja nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e 3 futbollistëve. Klaus Gjasula është larguar drejt Gjermanisë, ndërsa Florian Kamberi dhe Odise Roshi kanë shfaqur probleme dëmtimesh.
I pari është i pezulluar me kartonë të verdhë dhe nuk mund të luajë kundër San Marinos, ndërsa Roshi do të ju nënshtohet disa kontrolleve shtesë, për të konfirmuar nëse i njëjti do të jetë në disponim të trajnerit Reja.
Gjithsesi nuk do të ketë prurje të reja, pasi trajneri Reja ka alternativa të tjera për mesfushën dhe sulmin.
NJOFTIMI I FSHF-së:
“Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar paraditen e së hënës një seancë të lehtë stërvitore në kompleksin Tropikal. Lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Anglisë bënë vetëm ushtrime shkrythëse, ndërsa ato që qëndruan në stol një seancë më të plotë. Pas drekës delegacioni kuqezi u nis për në San Marino, ku të mërkurën do të zhvillojë ndeshjen e tretë për eliminatoret e Botërorit 2022. Kombëtarja ka mbërritur në orët e pasdites në San Marino, ndërsa për ndeshjen e tretë do të ketë disa ndryshime ne organikë. Klaus Gjasula është larguar që sot drejt klubit të tij, pasi është i skualifikuar për shkak kartonësh dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e tretë të Shqipërisë. Probleme fizike për Florian Kamberin dhe Odise Roshin, me mesfushorin që është në dyshim për sfidën e San Marinos dhe mbetet ende për t’u verifikuar gjendja e tij, kurse sulmuesi do të mungojë pasi nuk rikuperohet për ndeshjen”.