Ditën e djeshme, Federata shqiptare e futbollit njoftoi se Florian Kamberi është larguar nga grumbullimi dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen me San Marinon. FSHF përmes një njoftimi për shtyp e konfirmoi diçka të tillë sapo Kombëtarja mbërriti në San Marino. Por, a është dëmtim apo zemërim i Florian Kamberit, i cili ende nuk ka luajtur asnjë minutë me Shqipërinë?
Këtë do ta tregojë koha, por e vërteta është që nga formacioni kundër Anglisë u surprizuan shumë, tifozët dhe vetë lojtarët.
Diçka të tillë e konfirmoi edhe Rei Manaj në fundin e ndeshjes duke thënë se u befasua nga qëndrimi në stol.
Nëse Kamberi është larguar për shkak të pakënaqësive rrezikon që të krijohet një tjetër çështje “Grezda”, i cili nuk preferohet nga trajneri Edi Reja. Por, në të shkuarën ka pasur edhe diçka të ngjashme me Brojën.
Këtë herë vendimi i trajnerit nuk ishte drastik dhe gjeti gjuhën e përbashkët me sulmuesin e Kombëtares për ta grumbulluar sërish.