Polemika nuk shuhet, përkundrazi, ajo ndizet. Dhe kështu, në përpjekje për të hedhur ujë në zjarrin e ndezur pas golit të anuluar të Ronaldos në Beograd nga arbitri Danny Makkelie, vetë ky i fundit donte të kërkonte falje për “gafën”.
I kontaktuar nga gazeta luzitane “A Bola”, “bilbili” holandez shpjegoi incidentin, si vijon: “Sipas politikës së FIFA-s, e vetmja gjë që mund të them është se i kërkova falje trajnerit Fernando Santos dhe ekipit kombëtar portugez për atë që ndodhi”.
EPISODI – Rezultati ishte barazim 2”2 në minutën e 93-të, të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës (Katar 2022) midis Serbisë dhe Portugalisë. Makkelie nuk e pa topin që kaloi dukshëm vijën fatale, të goditur nga Ronaldo, duke vazhduar lojën. Në fakt, ky duhej të ishte goli i fitores së portugezëve.
Pa ndihmën e VAR-it dhe “goal-line technology”, arbitri holandez vazhdoi lojën, duke mos qenë në gjendje të gjykonte me siguri nëse topi e kishte kaluar plotësisht vijën e bardhë.
“Ne arbitrët gjithmonë punojmë shumë për të marrë vendimet e duhura”, – shtoi Makkelie.
“Kur bëhemi protagonistë për këto episode, nuk mund të jemi të kënaqur”.