Natë për tu harruar për Kosovën, Suedia e Ibrahimoviç me lehtësi mundi “Dardanët” (VIDEO)

Një ndeshje për tu harruar sa më shpejtë nga Kosova, ishte kjo e sontmja përballë Suedisë së Ibrahimoviç, që nga Prishtina u largua me fitoren 3:0, njofton “infOSport.mk”.

Fillimi i takimit nuk paralajmëroi një fund të tillë, pasi Kosova me anë të Vedat Muriqit realizoi vetëm pas dy minutave lojë, mirëpo sulmuesi i Lacios ndodhej në pozitë jashtë loje dhe goli i tij u anulua.

Kundërpërgjigjja e vërtetë erdhi 10 minuta më pas, kur Ludvig Augustinsson shënoi në rrjetën e Samir Ujkanit për 1:0, falë asistit të Zlatan Ibrahimoviç dhe reagimit shumë të dobët të portierit Samir Ujkani.

Pas këtij goli u vërejtë një shenjë nervozizmi në mesin e futbollistëve “dardan”, ku si pasojë erdhën edhe 3 kartonët e verdhë për  Vedat Muriqin, Hekuran Kryeziun dhe Florent Hadërgjonajn.

Ndërkohë në anën tjetër suedezët vazhduan me lojën e tyre të zakonshme, me pasime të shumta në mesfushë, teksa në minutën e 35-të falë një reagimi mjaft të dobët të mbrojtësve kosovar, ata përmes Aleksandar Isak shënuan edhe golin e dytë, që njëherit ishte edhe i fundit i shënuar gjatë 45 minutave të para.

Suedezët e filluan më mirë pjesën e dytë duke krijuar disa raste shënimi, mirëpo në ato momente në nivel të detyrës ishte portieri, Samir Ujkani.

Tanët filluan të këndelleshin, duke krijuar një aksion me anë të Milot Rashicës, mirëpo harkimin e tij nuk e arriti Vedat Muriqi.

Po luhej minuta e 69-të, kur mysafirët fituan një penallti shkaku që Rashica luajti me dorë në zonën e rreptësisë, derisa Sebastian Larsson realizoi nga pika e bardhë.

Kosova në fund këtë takim e mbylli me 10 lojtarë, pasi në minutat shtesë për shkak dy kartonëve të verdhë nga loja u përjashtua Bernard Berisha, i cili në ato momente nuk i kishte kaluar as 10 minuta në fushën e blertë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pas dy xhirove, Suedia me 6 pikë kryeson grupin “B”, para Spanjës, që sot mundi Gjeorgjinë me rezultatin 2:1 dhe ka 4 pikë, për të vijuar më pas Greqia në vendin e tretë me 1 pikë, derisa Kosova dhe Gjeorgjia me 0 pikë mbajnë dy pozitat e fundit në grup. (infOSport.mk)

Leave a Reply