Tre pikë ndaj Andorrës e pastaj mendjen te Anglia. Kjo është mënyra se si Edi Reja po përgatit ndeshjen ndaj Andorrës, duke konfirmuar se nuk do të bëjë asnjë çudi në rreshtimin e skuadrës kuqezi për duelin e parë të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2022, që do të mbahet në Katar.
Trajneri Edi Reja thuhet se ndaj Andorrës nuk do të kursejë asnjë nga titullarët e zakonshëm, duke mos menduar për ndeshjen me Anglinë pa siguruar tre pikët e para në grup.
Sipas asaj që është provuar në stërvitjen e fundit, para Berishës do të rreshtohet treshja e Serisë A, me Gjimshitin, Ismajlin e Kumbullën. Nga krahët, Hysaj është i konfirmuar në të djathtë dhe Lenjani si zgjedhja e pare në të majtë, pasi garanton më shumë në fazën ofensive në një ndeshje ku duhet sulmuar.
Keidi Bare dhe Ledian Memushaj janë të paprekshëm në qendër të mesfushës, ndërsa i treti në këtë repart do të jetë Gjasula, edhe pse ka shumë kohë pa luajtur. Mesfushori do të provohet nga fillimi me Andorrën, ndoshta duke luajtur një pjesë loje në të cilën shpresohet që të jetë siguruar rezultati, para se t’i lërë vendin njërit mes Laçit apo Ramadanit.
Sa i përket sulmit, Reja ka sakrifikuar përsëri dy nga sulmuesit më në formë të përfaqësueses, Brojën dhe Uzunin, për të aktivizuar dyshen e tij të preferuar, Çikalleshi-Manaj. Në varësi të rezultatit të sfidës, pritet të ketë hapësira për të dy, ashtu si edhe për Kamberin i cili pret prej një viti e gjysmë momentin e debutimit të tij me kuqezinjtë.