Maqedonia nga parajsa në ferr (VIDEO)

Ndeshja midis Rumanisë dhe Maqedonisë e zhvilluar në Bukuresht, doli të jetë një ndër ndeshjet më interesante të mbrëmjes në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2022, që do të mbahet në Katar, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja në fjalë u takoi vendasve, të cilët në fund shënuan fitore 3:2, edhe pse Maqedonia ishte shumë afër për të nxjerrë të paktën një pikë nga kjo transfertë, kur brenda 85 sekondave shënoi dy gola në rrjetën e Nita.

Arijan Ademi shënoi saktësisht pas 81:27 minutash golin e parë për Maqedoninë, kur mjaft mirë u shërbye nga ana e Ezgjan Alioskit, ndërsa një tjetër pasim perfekt nga ana e Enis Bardhit, i mundësoi Aleksandar Trajkovskit, që pas 82:52 minutash të shënojë edhe golin e dytë në rrjetën e vendasve për rezultat 2:2.

Në  ato momente shpërtheu një festë e vërtetë tek përfaqësuesja e vendit tonë, mirëpo ishte e kotë e njëjta, kjo pasi vetëm pas dy minutave, Janis Haxhi shënoi edhe golin e tretë dhe të fitores për Rumaninë.

Ndryshe vendasit kishin avansuar me golin e Tanase në minutën e 28-të, derisa Valentin Mihaila në minutën e 50-të shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Dimitrievskit, i cili në ato momente dukej i papërgatitur.

Pjesa e dytë rezultoi të jetë shumë më interesante, me të dyja ekipet që shënuan nga dy gola, edhe pse duhet pranuar se Maqedonia në këtë ndeshje kaloi nga parajsa në ferr.

Ndeshjen e rradhës të përzgjedhurit e Igor Angellovskit në kuadër të grupit “J” do ta zhvillojë në Shkup kundër Lihtenshtejnit, skuadër kjo që u mund në shtëpi nga Armenia me rezultatin minimal 1:0, ndërkohë në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Gjermania me shifrat 3:0 mundi Islandën.

Ndeshjen kundër Lihtenshtejnit, Maqedonia do ta zhvillojë me 28 mars, të njëjtën ditë kur Rumania do të mirëpret Gjermaninë, ndërkohë Armenia – Islandën. (infOSport.mk)

Leave a Reply