Portieri i suspenduar i Përfaqësueses së Kosovës, Aro Muriq, ka mohuar zërat se kishte shkuar i dehur në stërvitje.
Federata e Futbollit të Kosovës, gjatë ditës së djeshme përjashtoi porterin Aro Muriq, duke cituar shkelje disiplinore, por situata nuk u sqarua duke nxitur spekulime të shumta se ai ishte përleshur fizikisht me Edon Zhegrovën, e pastaj qarkulloi skenari se kishte shkuar i dehur në stërvitje.
Por një version të tillë të ngjarjeve e ka mohur Aro Muriq, i cili për “Insportin” u shpreh se lajmi që ai ishte i dehur është një gënjeshtër e madhe.
“Nuk është e vërtetë, është gënjeshtër e madhe që kam qenë i dehur”, – deklaroi ai.
Kosova sonte luan takimin miqësor ndaj Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, para fillimit të ciklit kualifikuese për Kampionatin Botëror “Qatar 2022”, ku “Dardanët” do të luajnë ndaj Suedisë (28 mars) dhe Spanjës (31 mars).