Në konferencën e radhës për shtyp të Kombëtares së Shqipërisë, para ndeshjes me Andorrën, kanë folur Elsied Hysaj dhe Klaus Gjasula.
Mbrojtësi i Napolit në fjalën e tij theksoi rëndësinë për t’i nisur mbarë eliminatoret e Botërorit, ndërsa gjithashtu foli edhe për futbollistin tetovar, Nedim Bajrami, i cili së fundmi pranoi të luaj për kombëtaren e Shqipërisë, duke i thënë lamtumirë përfaqësueses shpresa të Zvicrës.
“Ta fillojmë me këmbën e mbarë, ndeshjet e para janë më të rëndësishme. Të jemi kompaktë si në ndeshjet e fundit në Nations League. Duhet ta nisim mbarë me Andorrën. Kemi shumë lojtarë me minutazh të madh dhe formë të mirë. Jemi një grup fantastik, lojtarë si Bajrami mund të na japin një dorë më shumë. Kemi folur sepse kam luajtur kundër tij, është lojtar shumë i mirë. Është në një skuadër ku ka mundësi të ecë përpara. Kualitetet i ka, presion nuk do të ketë, është qytet i vogël dhe i qetë, thjesht duhet të tregojë vlerat” – u shpreh Elseid Hysaj.