Shqipëria rinovohet çdo ditë e më shumë me emra të rinj lojtarësh që i shtohen organikës në dispozicion të trajnerit, Edi Reja.
“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit se emri i radhës që mund të vishet kuqezi për dy miqësoret e muajit qershor, është mesfushori i Konyasporit, Zymer Bytyqi.
I lindur në Snt.Truden të Belgjikës, mesfushori 24-vjeçar ka luajtur me Kosovën edhe një miqësore përpara se të pranohej në FIFA dhe UEFA, ndërsa me të rinjtë ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Norvegjisë nga U-17 deri në atë U-21. Bytyqi skudrës turke të Konyaspor iu bashkua janarin e këtij viti nga rradhët e skuadrës norvegjeze të Viking, ndërsa shumë shpejtë i njëjtë fitoi një vend titullari. Ai me Konyaspor ka zhvilluar 10 ndeshje, duke regjistruar edhe 5 asistime për gol.
“Panorama Sport” ka mësuar se dëshira e lojtarit është që të vishet kuqezi në të ardhmen, për të përfaqësuar kombin shqiptar. Pritet që në muajt në vijim të intensifikohen kontaktet mes palëve, të nisin edhe procedurat zyrtare, ku në qendër të gjithçkaje është dëshira e djaloshit për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare.
Kujtojmë Bytyqi te Konyaspor luan bashkë edhe me shkupjanin, Erdon Dacin si dhe me sulmuesin e kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi, i cili gjithashtu mund të luaj një rol të rëndësishëm rreth kësaj lëvizje të futbollistit kosovar.
Cikalleshi e ka thënë madje hapur se kërkon afrimin e Zymer Bytyqit te Shqipëria.
“Goli i vetëm dhe i fitores në ndeshjen e sotme. Faleminderit Zymer Bytyqi, të duam në Kombëtaren e Shqipërisë”, kishte shkruar Cikalleshi, i cili kishte shënuar golin e vetëm në fitoren 1:0 të Konjaspor të dielën ndaj Alanyaspor, falë pikërisht asistit të Zymer Bytyqit.