Presidenti i Fedetatës së Futbollit të Serbisë, Slavisha Kokeza ka dhënë dorëheqje pas hetimeve ndaj tij për lidhje me huliganët serbë të futbollit, të cilët u arrestuan së fundmi nën dyshimin për vrasje, rrëmbim dhe trafikim të drogës.
Kokeza dha dorëheqje të hënën përmes një komunikate për media, ku shkroi se po largohet pas, siç tha “akuzave dhe sulmeve brutale ndaj meje dhe për shkak se reputacioni im po përdhoset”.
Ai i kaloi gati pesë vjet në krye të shtëpisë së futbollit serb, që prej majit të vitit 2016.
“Dua t’i njoftoj bashkëpunëtorët e mi, si dhe publikun, se jap dorëheqje nga presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë. Me qëllim që, mbi të gjitha, t’ia mundësoj ekipit kombëtar ta ketë qetësinë e nevojshme. Unë jam i gatshëm për një luftë të re, në të cilën do të bëj gjithçka për t’i mohuar sulmet ndaj emrit dhe personalitetit tim”, – tha Kokeza.
Kokeza ishte marrë në pyetje nga policia serbe për lidhjet e tij me liderët e grupit të tifozëve të Partizanit të Beogradit, të cilët u arrestuan në shkurt për krim të organizuar.
Huliganët e Partizanit të Beogradit akuzohen për vrasjen e anëtarëve të grupeve rivale, përfshirë heqjen e kokave dhe torturimin e tyre në një bunker të veçantë në stadiumin e Partizanit në kryeqytetin serb.
Serbia është e njohur për lejimin e huliganizmit që shpesh ka përfunduar në dhunë dhe shpërthim të nacionalizmit nëpër stadiume.
Gjatë luftërave në Bosnje dhe Kosovë në vitet e 90-ta, shumë prej tyre iu bashkuan grupeve famëkeqe paramilitare të cilat kryen krime lufte kundër grupeve të tjera kombëtare në ish-Jugosllavi.
Në fund të muajit të kaluar, UEFA e hapi një hetim ndaj tifozëve serbë të cilët bënë abuzime raciale kundër sulmuesit të Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, gjatë ndeshjes kundër Crvena Zvezdës në Beograd.
Pas kthimit të nacionalistëve në pushtet në Serbi para nëntë viteve, përkrahësit e futbollit nga ekstremi i djathtë janë parë shpesh nëpër tubime proqeveritare duke e promovuar agjendën e nacionalizmit politik. Në shkëmbim, huliganët janë lejuar nga qeveria serbe t’i kryejnë aktivitetet e veta biznesore.